Nuri Aydın
01 Janar 2020•Përditësim: 02 Janar 2020
Numri i të vdekurve nga zjarri që ka shpërthyer në shtetin New South Wales të Australisë është rritur në 15, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmeve në mediat e vendit, në jug të shtetit në Liqenin Conjola janë gjetur tre kufoma, ndërsa vazhdojnë punimet e kërkim-shpëtimit për katër persona të zhdukur.
Në rajon janë dërguar numër i madh i anijeve dhe avionëve luftarakë për arsye se mijëra persona janë strehuar në bregdet, pasi zjarri që ka prekur zonat pyjore dhe fushat e qytezës bregdetare Mallacoota, kohë pas kohe ka kaluar edhe në vendbanime.
Në zonat e prekura nga zjarret janë shkatërruar 175 shtëpi. Anijet dhe avionët në fjalë kanë transportuar ujë, produkte ushqimore dhe lëndë djegëse për arsye se është ndërprerë energjia elektrike dhe janë bllokuar rrugët.
Në disa muaj të fundit në New South Wales, për shkak të zjarreve është shkatërruar një sipërfaqe prej 5 milionë hektarëve dhe mbi një mijë shtëpi.