Büşra Nur Bilgiç Çakmak
03 Qershor 2020•Përditësim: 03 Qershor 2020
Është zbuluar plani arkitektonik që do të kthejë ndërtesën ku ka lindur lideri nazist Adolf Hitler në Austri në një stacion policie, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministri i Brendshëm austriak, Karl Nehammer dhe delegacioni i tij ndanë detajet e projektit në një konferencë për media në Vjenë të martën.
Shtëpia në Braunau am Inn, një qytet në kufi me Gjermaninë, kishte qenë subjekt i një mosmarrëveshjeje të gjatë.
Qeveria austriake, e cila e mori me qira nga pronari i saj për të ndaluar turizmin e ekstremit të djathtë për dekada, mori në posedim shtëpinë në vitin 2016 nën urdhrin e blerjes të detyrueshme.
Nehammer tha se shndërrimi i shtëpisë në stacion policor do të ketë kuptim pasi policia mbron liritë e njerëzve.
Hermann Feiner, kreu i komisionit për ridizajnim tha se ristrukturimi i shtëpisë do të përfundojë deri në vitin 2022 me një kosto prej 5 milionë euro.
Arkitekti Robert Wimmer tha se aspektet historike të ndërtesës do të mbrohen.
Projekti u iniciua në nëntor 2019, ndërsa arkitektë nga e gjithë Evropa u ftuan të paraqesin plane.
Adolf Hitler ishte udhëheqësi i Gjermanisë naziste midis viteve 1933 dhe 1945. Nazistët kanë qenë përgjegjës për vdekjen e miliona civilëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.