19 Nëntor 2015•Përditësim: 19 Nëntor 2015
VJENË (AA) – Kancelari austriak Werner Faymann deklaroi se pas sulmeve terroriste në Paris duhet të forcohen kontrollet gjatë hyrjes së refugjatëve në këtë vend, por se mbyllja e kufijve nuk vjen parasysh, raporton Anadolu Agency (AA).
Feymann sot, duke folur për mediat gjermane para takimit me kancelaren gjermane Angela Merkel, tha se mbyllja e kufijve do të thoshte "fund i Schengen-it dhe idesë evropiane".
Sipas tij, më e rëndësishme është të punohet në përfundimin e dhunës në Siri e cila është shkaku i fluksit aq të madh të njerëzve nga kjo pjesë e botës në Evropë. Njëkohësisht, Feymann vlerëson se është e nevojshme të përmirësohen kushtet për qëndrimin e refugjatëve në Turqi, si dhe masat e regjistrimit të tyre në Greqi.
"Problemi nuk mund të zgjidhet në kufirin gjerman apo austriak. Është e nevojshme që vendet evropiane pas sulmeve terroriste në Paris të përmirësojnë ndarjen e të dhënave të inteligjencës", ka thënë Feymann.
Emigrantët dhe refugjatët nga Afrika dhe Azia në Austri kanë hyrë nga Hungaria. Pasi që kjo e fundit i mbylli kufijtë e saj me Serbinë dhe Kroacinë refugjatët kanë ndryshuar itinerarin e tyre, dhe tani në Austri hyjnë përmes Sllovenisë.
Që nga 20 tetori deri sot në orën gjashtë të mëngjesit nga Sllovenia në Austri, sipas të dhënave të policisë sllovne, kanë kaluar 220 mijë e 341 refugjatë dhe emigrantë.