Bayram Altuğ
01 Mars 2018•Përditësim: 02 Mars 2018
BAYRAM ALTUĞ
GJENEVË (AA) - Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) njoftoi se është dërguar ndihma humanitare për 50 mijë civilë të strehuar në kampet në Afrin të Sirisë të cilët janë zhvendosur nga vendet e tyre para operacionit "Dega e Ullirit", raporton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësja e ICRC, Iolanda Jaquemet në një deklaratë për AA, tha se "Për herë të parë që nga 3 dhjetori 2017 kemi dërguar ndihmë humanitare e përbërë nga 29 maunë në kampet në Afrin dhe Tel Rifat ku jetojnë njerëzit e zhvendosur. Autokolona në këtë moment ka mbërritur në kampe".
Ajo theksoi se në ndihmat e dërguara në kampe ka ushqim, rroba dimërore, ilaçe, batanije dhe nevoja tjera ditore për 50 mijë persona. Sipas saj, autokolona në rajon është dërguar me Gjysmëhënën e Kuqe të Sirisë.
Jaquemet tha se autokolona ka mbërritur në kampe pa problem duke vënë në dukje se civilët në kampin në fjalë janë zhvendosur para operacionit "Dega e Ullirit".
Ndërsa Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm përgjegjës për Çështjet Humanitare të Kombeve të Bashkuara (OKB), Mark Lowcock, në një deklaratë më parë tha se "Autoritetet turke theksuan dëshirën e tyre për të siguruar qasje humanitare (në Afrin). Duam të shohim autokolonat me ndihma të vijnë nga Damasku por pala siriane nuk pranoi".
Tërhoqi vëmendjen ajo se autokolona me ndihma u dërgua pas kësaj deklarate.
Në strehimoret e PYD/PKK-së në Afrin janë gjetur ndihma të Kryqit të Kuq
Në kërkimet e zhvilluara në strehimoret e PYD/PKK-së në Afrin nga Forcat e Armatosura Turke (TSK) dhe Ushtrisë së Lirë Siriane (ULS) muajin e kaluar, janë gjetur paketat e ndihmës së Gjysmëhënës së Kuqe Siriane, e cila është e lidhur me regjimin e Bashar al-Assadit dhe Organizatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq.
E pyetur nga AA se si kanë hyrë ndihmat e Kryqit të Kuq në strehimoret e terroristëve në Afrin, zëdhënësja e ICRC-së në Gjenevë, Jaquemet ka pranuar se vitin e kaluar në Afrin kanë dërguar pesë autokolona të ndryshme me ndihma humanitare.