Murat Başoğlu
09 Janar 2023•Përditësim: 10 Janar 2023
Autoriteti i Kanalit të Suezit e tërhoqi me sukses një anije pasi u bllokua në ujërat pranë qytetit Al-Qantara, njoftoi kompania e transportit, transmeton Anadolu Agency (AA).
"M/V GLORY është zhvendosur nga rimorkiatorët e Autoritetit të Kanalit të Suezit. Njëzet e një anije që shkojnë në drejtim të jugut do të fillojnë/rifillojnë tranzitin e tyre", shkroi në Twitter kompania e transportit Leth Agencies.
"Pritet të ketë vonesa të vogla", shtoi kompania.
Më herët sot, Leth Agencies tha se anija Glory u bllokua, kurse rimorkiatorët e autoritetit të kanalit po përpiqeshin të rikthenin anijen.
Gjithashtu, gjenerallejtënant Osama Rabie, kreu i Autoritetit të Kanalit të Suezit, i tha Al-Arabiya TV se incidenti nuk ndikoi në trafikun përmes kanalit.
Incidenti u shkaktua nga një defekt teknik në anije, tha Rabie.
"Lëvizja e lundrimit në kanal nuk u ndikua nga bllokimi dhe brenda një periudhe të shkurtër kohore do të kthehet në normalitet", shtoi ai, sipas kanalit të lajmeve të Kajros.