Murat Karadağ
16 Qershor 2016•Përditësim: 17 Qershor 2016
BANGKOK (AA) – Policia e Tajlandës kreu bastisje në tempullin më të madh në vend për arrestimin e kryemurgut Phra Dhammajayo i cili kërkohet me akuzën për korrupsion, raporton Anadolu Agency (AA).
Mbi njëqind policë që erdhën në tempull në orët e hershme të mëngjesit, u ballafaquan me pengesat dhe pamundësimin e mijëra pjesëtarëve të urdhrit të cilët kishin vendosur kampe në hapësirën e tempullit.
Në deklaratën për media të transmetuar drejtpërdrejtë në televizion nëntë orë para fillimit të bastisjes, policia bëri të ditur se ende nuk janë konkretizuar punimet për gjetjen e kryemurgut për arsye të pengesave dhe pamundësimit.
Zv/drejtori i Njësitit për Hetime Speciale, Suriya Singhakamol, u shpreh se kanë hyrë në shumë pjesë të tempullit dhe se ka ngelur vetëm edhe një pjesë në të cilën pjesëtarët e urdhrit e pamundësojnë hyrjen. Duke treguar se operacioni ende nuk ka treguar rezultat, Suriya theksoi se ende nuk e kanë zbuluar vendndodhjen e kryemurgut, porse besojnë se ende ndodhet brenda.
Sipas tij, në mënyrë që operacioni të realizohet brenda kornizave ligjore dhe në mënyrë që të mos i shkaktohet dëm askujt, policët nuk po mbajnë armë.
Zyrtarët thonë se operacioni po zhvillohet ngadalë dhe me kujdes për arsye se budizmi në Tajlandë është fe kombëtare dhe murgjit e tempujve gëzojnë status të veçantë të cilin ua mundëson kushtetuta, duke shtuar se operacioni është pauzuar në orën 11:00 sipas orës lokale në mënyrë që murgjit të mund të hanë shujtën.