Ömer Tuğrul Çam
13 tetor 2022•Përditësim: 13 tetor 2022
Bashkimi Evropian (BE) do të rrisë ndihmën ushtarake për Ukrainën në mbi 3 miliardë euro dhe do të formojë mision për trajnimin e ushtrisë ukrainase, transmeton Anadolu Agency (AA).
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell në një deklaratë për gazetarët tha se BE-ja do të bëjë një vlerësim me NATO-n lidhur me mbështetjen për Ukrainën.
"Do të informoj anëtarët e NATO-s se javën e ardhshme në Luksemburg (si ministra të Jashtëm të BE-së) do të miratojmë një pjesë të re të mbështetjes tonë ushtarake për Forcat e Armatosura të Ukrainës. Në këtë mënyrë ndihmat tona ushtarake nga burimet e BE-së do të tejkalojnë 3 miliardë euro", tha Borrell.
Ai theksoi se BE-ja do të formojë një mision për trajnimin e ushtarëve ukrainas dhe se mbështetja duhet të vazhdojë për sa kohë që Ukraina ka nevojë.
"Në anën tjetër ne do të kërkojmë zgjidhje diplomatike për përfundimin e luftës", tha Borrell i cili shtoi se do të japin përgjigje ndaj përshkallëzimit të tensioneve nga Rusia.
Shefi i diplomacisë evropiane Borrell tha se në takimin e NATO-s do të përcjellë informacione rreth misioneve të BE-së në Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë.