Bayram Altuğ
11 Janar 2017•Përditësim: 11 Janar 2017
GJENEVË (AA) – Ka filluar takimi midis presidentit të Republikës Turke të Qipros Veriore (KKTC) Mustafa Akıncı dhe liderit të Qipros Greke Nikos Anastasiadis në ditën e fundit të bisedimeve që po vazhdojnë në zyrën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) në Gjenevë për gjetjen e zgjidhjes për kontestin e Qipros, raporton Anadolu Agency (AA).
Në bisedimet që filluan ditën e hënë nën mbikëqyjen e OKB-së dhe që dje vazhduan për 15 orë, liderët këtë mëngjes do të diskutojnë për “ndarjen qeveri-pushtet”, si dhe për tema që kanë ngelur nga dita e djeshme.
Ndërkaq, në seancën e pasdites në bisedime do të diskutohet çështja kritike e territorit, ndërsa më pas delegacioni i bisedimeve do të del nga salla. Në sallën e takimit do të ngelin vetëm dy liderët qiprotë, dy ekspertë hartash dhe Këshilltari i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Çështjen e Qipros Espen Barth Eide, ku secila palë do ta prezentojë hartën e vet.
Pas analizimit të hartave nga dy ekspertët e KKTC-së dhe pjesa greke, të njëjtat do t’ia dorëzojnë Eide-s. Hartat e prezantuara nga palët do të futen në arkën e posaçme të OKB-së.
Konferencë ndërkombëtare pas bisedimeve
Pas përfundimit të bisedimeve gjatë ditës së sotme, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres nesër do të bëjë hapjen e konferencës ndërkombëtare në të cilën marrin pjesë edhe shtetet garantuese, Turqia, Greqia dhe Britania e Madhe.
Në konferencë marrin pjesë edhe delegacionet e dy palëve të ishullit, ndërkohë që pika kryesore e konferencës do të jetë “Siguria dhe garancitë”. Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian do të marrë pjesë në konferencë si “mbikëqyrës i posaçëm”.
Masa të rrepta sigurie rreth OKB-së
Ndërkohë, vëmendje tërheqin masat e rrepta të sigurisë rreth zyrës së OKB-së në Gjenevë. Në kompleksin e OKB-së dhe rreth hoteleve ku po qëndron delegacioni janë vendosur barrier prej hekuri dhe betoni.
Interesim të madh për bisedimet dhe konferencën e nesërme ndërkombëtare kanë shprehur edhe mediumet. Zyrtarët e OKB-së në Gjenevë kanë ndarë një dhomë të posaçme shtypi për gazetarët e huaj.