Hasan Esen
09 Prill 2020•Përditësim: 09 Prill 2020
Numri i të vdekurve nga koronavirusi i ri (COVID-19) në Britani është rritur në 7.978, pasi në 24 orët e fundit janë konfirmuar 881 viktima, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministri i Jashtëm Dominic Raab, i cili po zëvendëson kryeministrin Borisn Johnson i cili po trajtohet nën kujdes intensiv nga COVID-19, njoftoi në konferencën e përditshme për shtyp se numri i personave që humbën jetën në vend nga pandemia u rrit nga 7.097 në 7.978.
Duke vënë në dukje që ai kryesoi mbledhjen emergjente të kabinetit sot, Raab theksoi rëndësinë e vazhdimit të zbatimit të karantinës së pjesshme.
Ai tha se qeveria po përpiqet t'i mësojë plotësisht rezultatet e karantinës së pjesshme dhe se vlerësimet e para tregojnë se kjo masë ka pasur rezultate pozitive në luftën kundër virusit.
Raab tha se prioritet i tyre është shpëtimi i jetëve dhe pengimi i përhapjes së koronavirusit.
"Nuk duhet ta humbasim progresin që e kemi arritur. Nuk duhet të shkojnë huq sakrificat që kanë bërë shumë njerëz", deklaroi Raab.
Ndërkohë, ai njoftoi se gjendja e Boris Johnson, i cili kaloi natën e tretë nën kujdes intensiv, vazhdon të përmirësohet.
Boris Johnson u vendos në kujdes intensiv pas vazhdimit të simptomave, dhjetë ditë pas diagnostikimit me koronavirusin.
Në vend të prekur nga virusi ka rezultuar edhe princi Charles, i cili tashmë është shëruar.