Hasan Esen
19 Prill 2020•Përditësim: 19 Prill 2020
Me 596 vdekje të reja në 24 orët e fundit në Britani të Madhe arrin në 16.060 numri i të vdekurve nga COVID-19, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga Ministria e Shëndetësisë bëhet e ditur se numri i vdekjeve nga 15.464 ka arritur në 16.060 ndërsa me 5.850 raste të reja rritet në 120.067 numri i rasteve në vend.
Në 24 orët e fundit janë kryer 15.994 teste. Numri i personave të testuar ka arritur në 372.967 ndërsa me përsëritjet e bëra numri i testeve ka arritur në 482.063.
- Qeveria bëri hap prapa
Qeveria britanike e cila në fazën e parë ndoqi strategjinë e "përhapjes së kontrolluar të virusit me qëllim për fitimin e imunitetit", bëri hap prapa pas kritikave dhe raportimeve se numri i vdekjeve mund të arrinte në rreth 300 mijë.
Me vendimet e marra më 23 mars u kufizua dalja e qytetarëve nga shtëpia si dhe u mbyllën të gjitha bizneset tregtare me përjashtim të marketeve dhe farmacive.
Në Britani kanë rezultuar pozitivë nga testet e koronavirusit princi Charles më 25 mars, kryeministri Boris Johnson dhe ministri i Shëndetësisë, Matt Hancock më 27 mars.
Johnson në mbrëmjen e 5 prillit u dërgua në spital dhe të nesërmen u vendos në kujdes intensiv pas vazhdimit të simptomave, dhjetë ditë pas diagnostikimit me koronavirusin.
Kryeministri britanik i cili u trajtua me oksigjen por i cili nuk u lidh me respiratorin doli nga kujdesi intensiv më 9 prill dhe më 12 prill doli nga spitali.
Ndërkohë që princi Charles dhe ministri Hancock u shëruan pa patur nevojë për trajtim në spital.