Seda Sevencan
18 Nëntor 2021•Përditësim: 19 Nëntor 2021
Turqia qëndron pas sovranitetit dhe integritetit territorial të Moldavisë, tha ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu, raporton Anadolu Agency (AA).
“Ne gjithmonë theksojmë se mbështesim plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Moldavisë”, tha Çavuşoğlu në një konferencë të përbashkët shtypi në Kishinau, kryeqytetin e Moldavisë, së bashku me homologun e tij moldav Nicu Popescu.
“Dëshiroj të theksoj edhe një herë mbështetjen tonë për zgjidhjen paqësore të konfliktit të Transnistrisë në kuadrin e integritetit territorial të Moldavisë”, shtoi Çavuşoğlu, i cili ndodhet në një vizitë njëditore në vend.
Transnistria, që gjendet përgjatë kufirit të Moldavisë me Ukrainën, është një zonë e shkëputur jozyrtare që njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Moldavisë. Ka një popullsi të madhe rusishtfolëse.
Çavuşoğlu theksoi gjithashtu se Rajoni Autonom i Gagauzit, i cili është pjesë e pandashme e Moldavisë, është një urë miqësie që forcon marrëdhëniet midis Turqisë dhe Moldavisë.
Rajoni autonom është vendi i një popullsie me shumicë gagauze, një komunitet i krishterë ortodoks turk.
Duke thënë se Turqia e sheh stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik të Moldavisë si të rëndësishëm, kryediplomati turk shtoi: “Marrëdhëniet tona me Moldavinë janë përtej politikës. Ne do të punojmë së bashku për të thelluar partneritetin tonë strategjik me qeverinë e re”.
Duke përgëzuar Popeskun për pozicionin e tij të ri si ministër i jashtëm, Çavuşoğlu shprehu dëshirën e tij për të bashkëpunuar ngushtë dhe për të punuar së bashku për të çuar më tej marrëdhëniet dypalëshe.
Marrëdhëniet Turqi-Moldavi bazohen në lidhjet e përbashkëta kulturore dhe historike, tha ai, duke shtuar se në vitin 2022 të dy vendet duhet të mbajnë ngjarje të përbashkëta për të festuar 30-vjetorin e lidhjeve të tyre diplomatike.
Në lidhje me vëllimin tregtar dypalësh, Çavuşoğlu tha se ai është rritur pavarësisht pandemisë COVID-19 dhe se vendet po i afrohen objektivit të tyre prej 1 miliard dollarësh.
“Ne jemi shumë të kënaqur që kompanitë tona po ndërmarrin projekte në shkallë të gjerë në Moldavi dhe ne inkurajojmë kompanitë turke të investojnë më shumë në Moldavi”, tha ai.
Moldavia falënderon Turqinë për mbështetjen e saj
Nga ana tjetër, Popesku tha se Turqia është një vend kyç për ekonominë moldave.
Turqia, tha ai, “radhitet e katërta ndër partnerët tanë tregtarë”.
“Ka mbi 1.100 kompani turke në Moldavi. Kjo tregon se bashkëpunimi ynë ekonomik është në një nivel shumë të lartë”, theksoi Popesku.
“Ne dëshirojmë të thellojmë marrëdhëniet tona ekonomike me një marrëveshje dypalëshe të tregtisë së lirë”, nënvizoi ai.
Duke falënderuar Turqinë për mbështetjen e saj gjatë pandemisë, Popescu tha: “Turqia bëri disa donacione për Moldavinë. Ajo dërgoi pajisje mbrojtëse dhe vaksina. Ne gjithashtu ndamë donacionet e vaksinave nga Turqia në rajonin e Transnistrisë”.