Fatih Hafız Mehmet
03 Tetor 2018•Përditësim: 04 Tetor 2018
ANKARA (AA) - Organizata D-8 për Bashkëpunim Ekonomik synon të dyfishojë tregtinë midis shteteve anëtare, tha kreu i organizatës, Dato Ku Jaafar Ku Shaari.
"Ne synojmë të dyfishojmë tregtinë brenda vendeve anëtare", tha sekretari i përgjithshëm Shaari në një intervistë ekskluzive për Anadolu Agency (AA).
Organizata D-8 i filloi aktivitetet më 15 qershor të vitit 1997, pasi kryeministri i atëhershëm turk, Necmettin Erbakan, propozoi krijimin e një grupi ekonomik të përbërë nga tetë ekonomitë në zhvillim nga bota myslimane, Bangladeshi, Egjipti, Indonezia, Irani, Malajzia, Nigeria, Pakistani dhe Turqia.
Synimi i organizatës mori reagime pozitive nga sektori privat dhe qeveritar, tha Shaari, duke shtuar se organizata përqendrohet në përfshirjen e sektorit privat në aktivitetet e D-8-tës.
Organizata, e filluar 21 vjet më parë me angazhimin e fortë të shteteve anëtare, mund të fitojë forcë me një dinamizëm të ri, tha kreu i saj.
"Jam siguruar nga shtetet anëtare se ata duan që D-8 të bëhet një organizatë shumë e rëndësishme ekonomike", tha ai.
Plani i ri i bashkëpunimit
Shaari tha se krerët kanë shpalosur ide të re për miratimin e një plani bashkëpunimi gjatë samitit të vitit të kaluar në Stamboll.
Plani i ri, i cili synon të zgjerojë bashkëpunimin midis shteteve anëtare, tejkalon bashkëpunimin në fushat e caktuara tashmë, siç janë tregtia, industria, bujqësia, transporti, energjia dhe turizmi, shton Shaari.
"Tani po e zgjerojmë atë në mënyrë që të përfshijë fusha të tjera të bashkëpunimit, si shëndetësia, shkenca, teknologjia, sektori i financave etj. Pra, ne synojmë të shqyrtojmë mundësinë e zgjerimit të bashkëpunimit tonë gjithnjë e më shumë", tha ai.
Duke përmendur gjithashtu marrëveshjen e qëllimit të mirë të nënshkruar me aeroportin Sabiha Gokcen të Stambollit, Shaari tha se marrëveshja e ka cilësuar aeroportin turk si aeroportin e parë të caktuar nga D-8.
"Ne po shqyrtojmë aeroporte të tjera në shtetet anëtare...me shpresën se mund të krijojmë një lidhje të veçantë të D-8-ës që do të siguronte një rrjet ajror mes shteteve anëtare", tha Shaari.
Zona industriale mes anëtarëve të D-8-tës
Sekretari i përgjithshëm tha gjithashtu se organizata ka në plan të krijojë një zonë industriale në D-8.
"Unë shpresoj se kjo do të fitojë mbështetje nga shtetet anëtare dhe së shpejti shpresojmë se mund të krijojmë një zonë të veçantë industriale midis vendeve anëtare", tha ai.
Aktualisht, dy nga anëtarët e D-8-tës, Turqia dhe Indonezia, gjenden në mesin e grupit të 20 ekonomive më të mëdha në botë.
Në lidhje me tregtinë me valuta vendase në D-8, Shaari tha: "Nuk mund të them shumë për këtë sepse është ende në proces diskutimi dhe negocimi me autoritetet përkatëse".
Organizata është në bisedime me Bankën Qendrore të Turqisë mbi këtë çështje, shtoi ai.
Palët do të trajtojnë çështjen në sesionin e ardhshëm të 41-të të komisionit dhe mbledhjen e këshillit të ministrave të jashtëm në Turqi në muajin nëntor, tha Shaari.
"Do të shohim se si mund ta zhvillojmë këtë më tej. Shpresojmë se diçka e mirë do të dalë nga kjo iniciativë", theksoi sekretari i përgjithshëm i D-8-tës, Dato Ku Jaafar Ku Shaari.