Amina Zorniç
20 Janar 2016•Përditësim: 21 Janar 2016
WASHINGTON (AA) – Pjesëtarët e organizatës terroriste DAESH kanë shkatërruar, manastirin e krishterë Shën Ilia, më i vjetri në Irak, i ndërtuar para 1.400 viteve, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas të përditshmes britanike “The Guardian”, këtë informacion e konfirmuan pamjet më të reja satelitore. Analistët besojnë se shembja e objektit ka ndodhur mes muajit gusht dhe shtator të vitit 2014.
Manastiri ka qenë i vendosur në njërën prej kodrave që rrethojnë qytetin e Mosulit. Është ndërtuar prej guri, manastiri ka pasur 26 dhoma dhe një faltore. Pas shembjes, manastiri bëhet pjesë e listës prej mbi 100 objekteve të cilat militantët e DAESH-it i kanë shkatërruar gjatë dy viteve të fundit.
DAESH-i në tetor të vitit të kaluar shkatërroi Portën Triumfale, monument historik i vendosur në qytetin e lashtë Palmira në Siri, si dhe tempujt e lashtë Baalshamin dhe Bel. Përveç Palmirës, e cila konsiderohej si një nga atraksionet më të mëdha turistike në Lindjen e Mesme, DAESH-i shkatërroi edhe statuja dhe dorëshkrime të shumta në Mosul dhe në qytetin e lashtë asirian Nimrud.