Islam Uddin
15 Nëntor 2023•Përditësim: 17 Nëntor 2023
Zyrtarë të lartë të Rusisë dhe Koresë së Veriut janë mbledhur në Phenian për të diskutuar mbi rritjen e bashkëpunimit në një sërë fushash, përfshirë tregtinë, shkencën dhe teknologjinë, transmeton Anadolu.
Siç raporton Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve, një delegacion rus i kryesuar nga ministri i Burimeve Natyrore dhe Ekologjisë, Alexander Kozlov, mbërriti në Phenian për të marrë pjesë në takimin e 10-të të Komitetit për Bashkëpunim në Tregti, Ekonomi dhe Teknologji.
Zyrtarët e të dy vendeve zhvilluan bisedime ndër-sektoriale dhe diskutuan çështjet praktike të realizimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme.
Dje, sipas agjencisë, delegacioni rus u mirëprit ngrohtësisht nga Yun Jong, ministri i Marrëdhënieve të Jashtme Ekonomike.
Marrëdhëniet midis Moskës dhe Phenianit janë afruar pas një vizite zyrtare të Kim Jong-un në Rusi në muajin shtator.
Muajin e kaluar, ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov, gjithashtu vizitoi Phenianin dhe dha garanci se do të mbështeste plotësisht politikat e Koresë së Veriut dhe se kishte vënë peshën e Moskës prapa Koresë së Veriut kundër SHBA-së.
Më vonë, SHBA-ja, Koreja e Jugut dhe Japonia pretenduan se Koreja e Veriut i dërgoi armë Rusisë dhe Seuli paralajmëroi për hakmarrje nëse Moska transferon teknologjinë e saj raketore në Phenian.