Ekip
27 Janar 2016•Përditësim: 28 Janar 2016
DONJECK (AA) – Ministria ukrainase e Punëve të Brendshme ka njoftuar se një grup i panjohur i sulmuesve ka kryer sulm me bombë ndaj shtatores së madhe të revolucionarit sovjetik Vladimir Iljiç Lenin, raporton Anadolu Agency (AA).
Sulmi është kryer mbrëmë vonë duke aktivizuar eksplozivin në bazamentin e shtatores.
Gjatë shpërthimit është dëmtuar vetëm themeli i shtatores së bronztë e cila më shumë se pesë dekada gjendet në sheshin në qendër të Donjeckut.
Zëdhënësi i separatistëve pro-rusë në Donjeck, Eduard Basurin deklaroi se sulmin e ka shkaktuar një organizatë terroriste e cila edhe më herët ka kryer sulme të ngjashme në këtë qytet.
Deri më tani askush nuk ka ndërmarrë përgjegjësi për sulmin. Autoritetet e Ukrainës më herët ndaluan të gjitha simbolet e ish-Bashkimit Sovjetik dhe Partisë Komuniste për të treguar vendosmëri në rrugën drejt integrimit europian dhe integrimit në NATO.
Edhe fillimi i revolucionit pro-europian në Kiev në vitin 2014 simbolikisht u shënua me shembjen e një shtatore të Leninit.