Stipe Mayiç
26 Prill 2017•Përditësim: 26 Prill 2017
ZAGREB (AA) - Dy persona kanë humbur jetën, ndërsa pesë të tjerë janë zhdukur në aksidentin e rëndë detar që ka ndodhur mbrëmë në kanalin Koloçep, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve paraprake, mbrëmë janë përplasur anija zyrtare e kapitanerisë së portit të Dubrovnikut "Dançe" dhe një gomone në të cilën ndodheshin disa persona në kanalin Koloçep, njoftoi Ministria e Detarisë, Transportit dhe Infrastrukturës.
Në gomone deri më tani me targa të panjohura, ishin nëntë persona, stafi i një restoranti, të gjithë me shtetësisë kroate.
Aksidenti detar ka ndodhur në momentin kur anija zyrtare e portit të Dubrovnikut ishte e angazhuar në operacionin e transportit emergjent mjekësor drejt ishullit Mljet.
Në vendin e aksidentit janë shpëtuar dy persona me dëmtime të lehta, ndërsa dy persona janë gjetur të vdekur.
Për pesë personat e tjerë janë duke u bërë kërkime intensive, kurse përmes zyrës së radios bregdetare ORP radio Dubrovniku, transmetohen mesazhe të kategorisë së rrezikut "Mayday Relay" për të gjithë pjesëmarrësit në transportin detar.
Ministri i Detarisë, Transportit dhe Infrastrukturës, Oleg Butkoviç, me bashkëpunëtorët e tij sot do të takohet me udhëheqësit e ekipeve të kërkimit.