Ekip
24 Qershor 2017•Përditësim: 25 Qershor 2017
ARU (AA) – Ekspertë të Kombeve të Bashkuara do të dërgohen në Republikën Demokratike të Kongos për të hetuar ngjarjet e dhunshme në të cilat pretendohet se janë vrarë qindra njerëz, bëri të ditur të premten Amnesty International (AI), transmeton Anadolu Agency (AA).
AI thekson se Këshilli për të Drejtat e Njeriut i OKB-së miratoi një rezolutë me të cilën kërkon që Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut të dërgojë një ekip të ekspertëve ndërkombëtarë për të hetuar shkeljet e pretenduara të të drejtave të njeriut dhe keqpërdorimet në rajonin qendror Kasai.
Qeveria e Kongos, sipas raportimeve të mediave, ka pranuar të bashkëpunojë, duke përfshirë edhe mundësimin e qasjes së ekspertëve të Kombeve të Bashkuara.
“Hetimi ndërkombëtar me mandate të Këshillit për të Drejtat e Njeriut do të sjell shpresë se do të zbulohet e vërteta për dhunën e tmerrshme në rajonin Kasai që nga muaji gusht i vitit të kaluar, që paraqet një hap para drejt drejtësisë për mijëra viktima”, tha Laila Matar, përfaqësues i OKB-ve për të Drejtat e Njeriut.
Kaosi në Kasai filloi në gusht të vitit të kaluar, kur policia vrau Kamuina Nsapu, i cili udhëhiqte grupin militant që mbante emrin sipas tij.
Që atëherë militantët sulmojnë policinë, ushtrinë dhe civilët duke i vrarë në mënyrë joselektive. Kisha Katolike në RD të Kongos më parë në raportin e saj konfirmoi se mbi 3.300 njerëz janë vrarë, ndërsa 1.3 milionë janë shpërngulur.