Rabia İclal Turan
01 dhjetor 2022•Përditësim: 01 dhjetor 2022
Pronari i ri i Twitter-it, Elon Musk tha se ai zhvilloi një "bisedë të mirë" me shefin ekzekutiv të kompanisë Apple, Tim Cook, duke theksuar se ata zgjidhën një keqkuptim rreth tërheqjes së mundshme të Twitter-it nga App Store, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke ndarë një video të një pishine reflektuese në qendër të Apple Park në Cupertino, California, Musk falënderoi Cook-un që e pranoi atë në selinë "e bukur" të kompanisë Apple.
"Ndër të tjera, ne zgjidhëm keqkuptimin rreth heqjes së mundshme të Twitter-it nga App Store", shkroi Musk në Twitter.
"Tim ishte i qartë se Apple nuk e kishte menduar kurrë ta bënte këtë", shkroi ai.
Miliarderi pretendoi të hënën se Apple kishte kërcënuar të hiqte aplikacionin Twitter nga App Store si pjesë e procesit të moderimit dhe rishikimit të aplikacioneve.
Musk nuk ofroi asnjë provë për të vërtetuar pretendimin e tij, të cilin ai e bëri në një seri postimesh në Twitter që sulmonin gjigantin e teknologjisë, duke përfshirë gjoja tërheqjen e reklamave të kompanisë në Twitter.
"Apple ka kërcënuar gjithashtu se do të ndalojë Twitter-in nga App Store i saj, por nuk do të na tregojë pse", shkroi ai në Twitter vetëm një orë pasi pretendoi se kompania "në masë të madhe ka ndaluar reklamat në Twitter".
"A e urrejnë fjalën e lirë në Amerikë? Çfarë po ndodh këtu, Tim Cook", pyeti Musk.
Apple ende nuk është përgjigjur publikisht ndaj akuzave të Musk-ut.
Po përmbushen një muaj që kur Musk morri në pronësi Twitter-in, periudhë e cila është shënuar nga kaosi i përhapur në kompani pasi ai kërkon ta bëjë kompaninë fitimprurëse duke larguar shumë njerëz nga puna dhe duke u përpjekur të krijojë politika që janë përballur me kundërshtime të brendshme në kompani. Këto politika kanë çuar në largime shtesë të stafit, ndërsa një pjesë e politikave janë tërhequr shpejt.