Murat Ünlü
07 Maj 2017•Përditësim: 08 Maj 2017
PARIS (AA) - Sipas exit-poll-ët në Francë, Emmanuel Macron rezulton të jetë zgjedhur si presidenti i ri i Francës, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas anketës së televizionit shtetëror, France 2, thuhet se 39-vjeçari Macron ka marrë 65.1 për qind të votave, ndërsa rivalja e tij, radikalja e djathtë, Marine Le Pen rezulton të ketë marrë 34.9 për qind.
Le Pen i uron fitoren Macron-it
Liderja e së djathtës ekstreme Marine Le Pen i ka uruar kandidatit të pavarur centrist Emmanuel Macron fitoren në raundin e dytë të zgjedhjeve të sotme presidenciale në Francë.
Mediat franceze raportojnë se Le Pen e ka thirrur në telefon presidentin e sapozgjedhur të Francës dhe siç thuhet i ka dëshiruar sukses "përballë sfidave të mëdha që e presin atë" dhe ka paralajmëruar forcën e re politike në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në qershor të këtij viti.
Presidenti aktual i Francës François Hollande e ka telefonuar dhe i ka uruar fitoren presidentit më të ri të sapozgjedhur deri më tani të Francës, Macron.
Hollande ka theksuar se rezultatet e zgjedhjeve të sotme konfirmojnë se shumica e votuesve kanë zgjedhur Bashkimin Evropian dhe hapjen me botën.
Përderisa mijëra mbështetës të Macron-it festojnë në oborrin e muzeut Louvre në Paris duke pritur paraqitjen e parë të tij, shumë liderë evropianë e kanë uruar presidentin e ri francez.
Me publikimin e rezultateve nga Ministria e Punëve të Brendshme, pritet që në orët e vona Macron të shpallet zyrtarisht presidenti i ri i Francës.
Ndërkohë rezultatet zyrtare përfundimtare pritet të shpallen më 10 maj nga Këshilli i Kushtetutës së Francës.
Presidenti i ri i Francës pritet të marrë detyrën zyrtarisht më 14 maj nga ai aktual François Hollande.