İnci Gündağ
15 Qershor 2016•Përditësim: 15 Qershor 2016
LONDËR (AA) – Anglia, e cila u paralajmërua nga UEFA me mundësi për skualifikim nga EURO 2016, mori vendim që të dërgojë përforcime policore në Francë, me qëllimin që të mos përsëriten ngjarjet e dhunshme, raporton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratën e Zyrës së kryeministrit britanik në lidhje me çështjen thuhet se për ndeshjen që do të luhet nesër në qytetin Lens të Francës mes Anglisë dhe Uellsit, para dhe pas ndeshjes në zonë do të dërgohen policë britanikë si mbështetje për të ofruar siguri.
Ndërsa mësohet se në detyrë për detektimin e personave potencialë problematikë janë vendosur posaçërisht policë të cilët do të patrullojnë në stacionin e trenave në qytet dhe hapësirën përreth stadiumit ku do të luhet ndeshja, nuk jepet asnjë informatë në lidhje me numrin e nëpunësve policorë që do të dërgohen në Lens.
Nëpunësve britanikë që janë përgjegjës për rendin publik e që do të dërgohen në zonë me kërkesë të zyrtarëve francezë, në ndihmë do t’u dalin gjithashtu edhe zyrtarë të njësisë së policisë britanike të transportit.
Ndërkaq, Ministria britanike e Punëve të Jashtme bëri të ditur se në rast nevojash, në gatishmëri për asistim të shpejtë janë edhe zyrtarë të konsullatës dhe u bëri thirrje tifozëve që nuk posedojnë bileta për ndeshjen të mos shkojnë në Lens.
Në kuadër të grupit B, sot në Lille zhvillohet takimi Rusi-Sllovaki, ndërsa nesër Anglia përballet me Uellsin në Lens.