Emre Aytekin
22 Shkurt 2021•Përditësim: 23 Shkurt 2021
Rajoni Special Administrativ i Kinës, Hong Kong, ka filluar fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Shefja ekzekutive e Hong Kong-ut, Carrie Lam, dhe sekretarja për ushqim dhe shëndet në Hong Kong, Sophia Chan Siu-chee, ishin të parat që morën vaksinën.
Javën e kaluar në rajon mbërriti pjesa e parë e 12 milionë dozave të vaksinës kundër COVID-19 të zhvilluar nga kompania kineze Sinovac.
Në programin e vaksinimit do të kenë përparësi, të moshuarit, punonjësit e shëndetësisë, personeli në shtëpitë e kujdesit dhe të kompanive ajrore si dhe drejtuesit e mjeteve që kryejnë transport jashtë vendit.
Administrata rajonale, ka miratuar përdorimin e vaksinës kundër COVID-19 të zhvilluar nga Sinovac dhe kompania Biontech/Pfizer. Ndërsa ndodhet ende në fazën e vlerësimit për miratim edhe vaksina Oxford-AstraZeneca ndaj të cilës më parë janë dhënë porosi.