Bahattin Gönültaş
28 Qershor 2021•Përditësim: 28 Qershor 2021
Agjencia ndërkombëtare për vlerësim kreditor Fitch Ratings konfirmoi vlerësimin kreditor të Kinës si A+, ndërsa vlerësoi parashikimin si të qëndrueshëm, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në kumtesën e Fitch-it thuhet se në vlerësimin kreditor të Kinës kontribuon financimi i jashtëm solid i vendit, efektet e forta makroekonomike dhe vëllimi i ekonomisë së dytë më të madhe në botë.
Thuhet se ekonomia kineze ka hyrë në një fazë të pjekur të rimëkëmbjes ekonomike pas pandemisë globale COVID-19.
Fitch po ashtu thekson se Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) i Kinës do të rritet me 8,4 për qind këtë vit, ndërsa me 5,5 për qind vitin tjetër, duke e bërë Kinën një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë.
Vlerësimi kreditues për secilin vend përcaktohet në bazë të treguesve nga faktorët kryesorë si forca ekonomike, forca institucionale, forca e financave publike dhe prirja e rrezikut, si dhe ndërveprimi midis tyre.
Shenjat e vlerësimit ndahen në disa kategori sipas kritereve të vlefshmërisë së kredisë dhe rrezikut të kredisë, ndërsa shënohen me shkronja prej A deri në C, gjegjësisht D. Shenja A përfaqëson vlerësimin më të lartë të kredisë, ndërsa D përfaqëson nivelin më të ulët.
Në kuadër të secilës kategori ka nivele vlerësimi në varësi të mënyrës se si vlerësohet pozicioni i vendit, si i fortë, mesatar ose i dobët.