Abdulbesar Ademi
20 Korrik 2025•Përditësim: 20 Korrik 2025
Forcat Detare të Izraelit kanë arrestuar pesë peshkatarë palestinezë që po peshkonin në brigjet e Gazës pasi fillimisht hapën zjarr ndaj tyre, raporton Anadolu.
Dëshmitarët okularë raportuan se peshkatarët e arrestuar u çuan në një vend të panjohur nga forcat izraelite.
Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite vazhdon me ofensivën brutale në Rripin e Gazës që nga 7 tetori i vitit 2023, duke vrarë të paktën 59 mijë palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet e pamëshirshme kanë shkatërruar enklavën dhe kanë çuar në mungesë ushqimi dhe përhapje sëmundjesh.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavën palestineze.