Haydar Hadi
19 Qershor 2016•Përditësim: 20 Qershor 2016
ENBAR (AA) – Forcat e bashkuara irakiane kanë mposhtur organizatën terroriste DAESH dhe kanë marrë qendrën e qytetit Felluxha, ndërkohë që aktualisht po zhvillohen luftime në lagjet periferike të qytetit. Forcat irakiane tani i pret një sfidë tjetër, ajo e pastrimit të pajisjeve shpërthyese të cilat janë vendosur nga terroristët gjatë tërheqjes së tyre, raporton Anadolu Agency (AA).
“Jemi të përkushtuar të vendosim sigurinë e plotë në Felluxha dhe kemi përkrahjen e plotë të qeverisë së Irakut. Në orët e fundit kemi shkatërruar së paku dhjetë automjete me eksploziv të cilat terroristët i kishin lënë në qendër të qytetit. Aktualisht po zhvillohen luftime me elementet terroriste jashtë qytetit”, deklaroi për AA zyrtari i Ministrisë së Brendshme, Hussein Hadi.
Terroristët e DAESH-it kishin marrë kontrollin e qytetit në vitin 2014. Megjithatë, flamuri i DAESH-it akoma valëvitet mbi urën në Felluxha e cila është pika e radhës strategjike për forcat irakiane.