Zülfiya Yakup
19 Qershor 2016•Përditësim: 20 Qershor 2016
PRISHTINË (AA) - Nën kujdesin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, sot në Prishtinë ka filluar punimet Takimi Ndërkombëtar i Lidershipit, në të cilin po marrin pjesë rreth 250 përfaqësues të shteteve nga të gjitha kontinentet, transmeton Anadolu Agency (AA).
Veseli, njoftojnë nga kabineti i tij, ka falënderuar të pranishmit për besimin e treguar ndaj shtetit të Kosovës. “Ballkani ka qenë një vatër lufte për një kohë të gjatë dhe në histori shpesh jemi përballur me rrezikun e zhdukjes. Brez pas brezi, njerëzit kanë humbur të dashurit dhe shtëpitë e tyre. Por, përkushtimi ynë ndaj lirisë ka qenë më i fortë se sa dhuna. Ne besojmë në drejtësi dhe besojmë se nuk jemi të vetmuar, sepse kemi afër njerëz të mirë të cilët do të na ndihmojnë që të mbizotërojmë mbi terrin dhe prapambetjen. Jemi të kënaqur që këtu kemi njerëz si ju”, theksoi kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Duke cituar thënien e Nënës Terezë se “të gjithë ne, nuk mund të bëjmë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të drejta”, Veseli e konsideroi të rëndësishme arritjen e pajtimit.
“Ne jemi këtu që t’u tregojmë edhe fqinjëve rrugën drejt stabilitetit dhe paqes së qëndrueshme. Kosova është e përkushtuar në këtë drejtim. Me ndihmën e miqve, sikurse ju, ne mund të bëhemi ambasadorë të pajtimit dhe të tregojmë se të jetohet në paqe është natyrë njerëzore”, theksoi ndër të tjera kryeparlamentari Veseli.
Siç thuhet në njoftim, para fillimit të Takimit Ndërkombëtar të Lidershipit, kryetari i Kuvendit të Kosovës, takoi ish- guvernatorin e Karolinës së Jugut, David Beasley, si dhe mysafirët nga Bundestagu, Josip Juratovic dhe Frank Heinrich.