Şerife Çetin
26 Shtator 2024•Përditësim: 26 Shtator 2024
Ministri francez i Evropës dhe Punëve të Jashtme, Jean-Noel Barrot tha se po bëhen përpjekje për të vendosur armëpushim të përkohshëm 21-ditor në Liban së bashku me partnerët e tij amerikanë dhe u bëri thirrje palëve të pranojnë marrëveshjen, transmeton Anadolu.
Barrot foli në seancën urgjente të Libanit të mbajtur në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) me kërkesë të Francës.
Duke theksuar se në New York kishte shumë liderë për Asamblenë e Përgjithshme të 79-të të OKB-së, Barrot tha se kjo duhet të kthehet në një mundësi për të gjetur zgjidhje diplomatike në Liban.
"Lufta nuk është e pashmangshme. Një zgjidhje diplomatike është e mundur", tha ai.
Ministri i Jashtëm francez theksoi se po punojnë me partnerët e tyre amerikanë për të vendosur armëpushim të përkohshëm 21-ditor në Liban.
Barrot tha se detajet e marrëveshjes që do të prezantohen do të publikohen shumë shpejt. "U bëjmë thirrje të dyja palëve ta pranojnë atë pa vonesë", tha ai.
Barrot deklaroi se do të vizitojë Bejrutin në fund të kësaj jave për t'u takuar me udhëheqësit në rajon.