Rahmi Gündüz
09 Shkurt 2017•Përditësim: 09 Shkurt 2017
PARIS (AA) – Një gjykatë në Paris ka dënuar dy të rinj me nga gjashtë muaj burg për shkak të ndodhive gjatë demonstratave në Aulnay-sous-Bois të organizuara të martën, raporton Anadolu Agency (AA).
Demonstratat janë organizuar për shkak të dhunës policore, ndërsa shkaku për protestat ka qenë incidenti i javës së kaluar në të cilin katër policë dyshohen se kanë keqtrajtuar dhe me shkop policor kanë përdhunuar një të ri 22 vjeçarë gjatë arrestimit.
Të rinjtë janë dënuar për shkak të “dëmtimit të pronës publike dhe dhunës kundër policisë”.
Nga ana tjetër tre të rinj tjerë janë dënuar me nga gjashtë muaj burg me kusht, ndërsa një person është liruar.
Të enjten do të mbahet gjykimi për edhe katër të dyshuar. Personat që kanë dalë para gjykatës janë të moshës mes 18 dhe 23 vjeç. Grupi i demonstrantëve në protestat ka djegur tre automjete, kontejnerë mbeturinash dhe stacione të autobusëve, ndërsa ka shkatërruar edhe hyrjen në një objekt hotelerik.
Demonstratat kanë zgjatur deri në orët e hershme të mëngjesit, ndërsa janë organizuar edhe të mërkurën. Prokuroria franceze ka ngritur më herët edhe aktakuzë kundër katër policëve të cilët ngarkohen për disa vepra penale, përfshirë përdhunimin dhe keqtrajtimin gjatë arrestimit të 22 vjeçarit me ngjyrë.