Yusuf Özcan
19 Dhjetor 2019•Përditësim: 20 Dhjetor 2019
Një sondazh i zhvilluar në Francë tregon se më shumë se gjysma e qytetarëve janë kundër reformës së pensioneve të qeverisë së presidentit Emmanuel Macron, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në sondazhin e kompanisë kërkimore Elabe, thuhet se është 54 për qind e qytetarëve mbështesin grevat e nisura kundër reformës në fjalë.
Ndërkohë 63 për qind e francezëve duan ndërprerjen e grevave për pushimet gjatë krishtlindjeve dhe vitit të ri.
Ndërsa 46 për qind e pjesëmarrësve në anketë janë shprehur se qeveria është shkaktare e problemeve të përjetuara lidhur me reformën e pensioneve.
Sipas sondazhit 57 për qind e francezëve janë kundër reformës së pensioneve.
Përderisa Macron dhe qeveria kanë bërë të ditur se nuk do të heqin dorë nga reforma e pensioneve, sindikatat kërkojnë tërheqjen e saj.
Për shkak të grevave që filluan më 5 dhjetor kundër reformës, ka ndërprerje serioze në shërbimet publike, shëndetësore dhe të transportit ku qytetarët janë ata që ‘penalizohen‘ nga kjo situatë.
Në një deklaratë të përbashkët me shkrim nga Konfederata e Përgjithshme e Punës (CGT), Fuqia Punëtore, Federata e Sindikatës Unitare dhe të Solidaritetit të cilat janë prej sindikatave më të rëndësishme në vend, thuhet se grevat nuk do të ndërpriten për pushimet e krishtlindjeve dhe se ato do të vazhdojnë derisa qeveria të tërheqë reformën e pensioneve.
Me thirrjen e bërë nga sindikatat, ditë më parë në të gjtihë vendin u mbajtën aktivitete për të protestuar kundër reformës së pensioneve. Sipas Ministrisë së Brendshme në protesta morën pjesë 615 mijë persona ndërsa sipas CGT 1.8 milionë persona.
- Reagime ndaj reformës së pensioneve
Pas protestave të "Jelekëve të verdhë", më 5 dhjetor në Francë punonjësit e shumë sektorëve filluan grevë të përgjithshme pa afat në të gjithë vendin, me qëllim për të reaguar kundër reformës së pensioneve të përgatitur nga qeveria e presidentit Macron.
Në ditën e parë të grevave, 800 mijë persona kishin vërshuar nëpër rrugë.
Reforma në fjalë parashikon ndarje në pensionet për punëtorët dhe punonjësit e sektorit publik, rritjen graduale të moshës së pensionit nga 62 në 64 vjeç si dhe ndikim negativ ndaj shumë sektorëve të tjerë.
Në mesin e pjesëmarrësve në grevë janë punonjësit e RATP (Rregullatorët e transportit publik) në Paris dhe përreth tij, SNCF, punonjësit e kompanisë ajrore Air France, policët, mjekët, infermierët, punonjësit e spitaleve, studentët, punonjësit e postave, punonjësit e sektorit publik, avokatët, punonjësit e bujqësisë, ekipet e shëndetësisë për ambulancat, drejtuesit e taksive, mësuesit, punonjësit e kompanisë shtetërore për prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike EDF, shoferët e transportit, punonjësit e urgjencës në spitale, punonjësit e kompanisë Renault dhe punonjësit e rafinerisë.