Erbil Başay
11 Qershor 2017•Përditësim: 12 Qershor 2017
BERLIN (AA) – Shefi i diplomacisë gjermane Sigmar Gabriel paralajmëroi se kriza në marrëdhëniet midis Katarit dhe disa vendeve të Gjirit mund të përshkallëzohet në luftë të shkallës së gjerë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një intervistë për gazetën "Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung", Gabriel i ka cilësuar si "dramatike" marrëdhëniet mes vendeve vëllazërore dhe fqinje të Gjirit.
"Duhet të parandalohet përshkallëzimi i tensioneve, për shkak se mosmarrëveshjet aktuale në rajon, lehtë mund të kthehen në luftë", paralajmëroi Gabriel.
Duke theksuar se në lidhje me krizën këto ditë ka biseduar me ministrat e Jashtëm të SHBA-së, Turqisë, Iranit, Arabisë Saudite, Katarit dhe Kuvajtit, Gabriel tha se e di mirë se për çfarë krize serioze bëhet fjalë.
Duke u bërë thirrje të gjitha palëve për dialog dhe zgjidhje paqësore të krizës, ministri i Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel tha se ka shans që të parandalohet eskalimi i trazirave.
Po ashtu edhe Kancelarja gjermane, gjatë vizitës së fundit në Meksikë paralajmëroi për seriozitetin e krizës në rajonin e Gjirit.
Merkel tha se kriza nuk mund të zgjidhet pa pjesëmarrjen e të gjithë faktorëve relevant në rajon, duke përfshirë Katarin, Turqinë dhe Iranin.
Arabia Saudite, EBA, Bahreini, Egjipti dhe Jemeni më 5 qershor, njoftuan se kanë ndërprerë të gjitha marrëdhëniet diplomatike me Katarin, të cilin e akuzuan për destabilizim të rajonit.
Bahreini, Arabia Saudite dhe EBA kanë mbyllur hapësirën ajrore për Katarin dhe qytetarët e saj i urdhëruan që të lëshojnë vendet në fjalë brenda 48 orëve. Përveç kësaj, Arabia Saudite ka mbyllur edhe kufirin tokësor me Katarin, e cila synon të iniciojë procedurë gjyqësore kundër tre vendeve.