Mohamed Sabry Emam Muhammed
04 Dhjetor 2016•Përditësim: 04 Dhjetor 2016
RAFAH (AA) – Trupat e pajetë të katër punonjësve palestinezë janë gjetur javën e kaluar në një tunel të shembur nën kufirin mes Gazës dhe Egjiptit, raporton Anadolu Agency (AA).
Një burim i paidentifikuar i sigurisë nga Palestina për AA tha se bëhet fjalë për punonjësit të cilët nga java e kaluar udhëhiqen si të zhdukur kur u shemb njëri nga tunelët sekret që gërmuan palestinezët e Gazës për të gjetur rrugëdalje nga rrethimi izraelit, i cili prej vitesh ka shkëputur krejtësisht Gazën nga pjesa tjetër e botës.
Ushtria egjiptiane për disa muaj është duke rrëzuar tunele të cilat janë gërmuar nga palestinezët nën kufirin që lidhin Gazën me Sinain egjiptian. Në të shumtën e rasteve tunelet shemben duke i mbushur me ujë.
Me ardhjen e Hamasit në pushtet në Gaza në vitin 2006, autoritetet izraelite kanë bllokuar tërësisht rajonin palestinez, kurse tunelet sekrete nën kufirin me Egjiptin kanë qenë shpresa e vetme e palestinezëve të cilët përmes tyre kanë sjellë ushqim, ilaçe, materiale ndërtimi dhe mallra të tjera të nevojshme.
Pas grushtit ushtarak dhe rrëzimin e presidenti të zgjedhur në mënyrë demokratike Mohamed Morsi, në korrik të vitit 2013, qeveria egjiptiane me presidentin Abdel Fattah al-Sisi ka iniciuar një proces të zbulimit dhe shembjen e tuneleve ndërkufitare palestineze.