Nour Mahd Ali Abu Aisha,Zeynep Hilal Karyağdı
16 Mars 2018•Përditësim: 17 Mars 2018
GAZA (AA) – Vendimi i SHBA-ve për njohjen e Kudsit si “kryeqytet të Izraelit” dhe zhvendosjes së ambasadës së saj nga Tel Avivi në Kuds, u protestua në Gaza në ditën e 100-të nga marrja e këtij vendimi, raporton Anadolu Agency (AA).
Dhjetëra palestinezë të cilët janë mbledhur përpara Xhamisë Ebyad në Gaza me thirrjen e Hamasit, reaguan kundër vendimit të SHBA-ve për Kudsin.
Drejtori i Departamentit të Çështjeve për Kudsin nga Hamasi, Ahmed Ebu Halibe tha se “Ne jemi këtu kundër vendimit të SHBA-ve në ditën e 100-të të këtij vendimi. Theksojmë se ne jemi pronarë të këtyre tokave dhe se kemi të drejta ligjore mbi Palestinën, Kudsin dhe Mesxhid-i Aksa-në”.
Duke folur para palestinezëve në Kuds, Ebu Halibe bëri thirrje për vazhdim të kryengritjes kundër Izraelit. “Me këtë rast tregojmë edhe një herë se do të vazhdojmë t’i mbrojmë objektet e shenjta në Palestinë”, thotë ai.
Ebu Halibe po ashtu u bën thirrje shteteve Islame “për mbështetje të popullit palestinez në vazhdimin e luftës kundër Izraelit, i cili po përpiqet të hebraizojë Kudsin dhe tokat palestineze”.
Presidenti i SHBA-ve Donald Trump në një deklaratë më 6 dhjetor të vitit 2017 tha se e njeh Kudsin si “kryeqytet të Izraelit”.
Departamenti Amerikan i Shtetit muajin e kaluar njoftoi se Ambasada amerikane në Tel Aviv do të zhvendoset në Kuds brenda muajit maj.