Ayhan Şimşek
13 Mars 2023•Përditësim: 13 Mars 2023
Qindra fluturime janë anuluar sot në katër aeroporte të Gjermanisë për shkak të pezullimit të punës së stafit përgjegjës për kontrollet e sigurisë, transmeton Anadolu.
Aeroporti Ndërkombëtar i Berlinit ka njoftuar se sot nuk do të ketë fluturime, gjë që do të ndikojë edhe në disa fluturime në ardhje.
Aeroporti anuloi rreth 200 fluturime, duke prekur 27 mijë udhëtarë.
Udhëtarëve u kërkohet të kontaktojnë kompanitë e tyre ajrore për të mësuar statusin aktual të fluturimit të tyre.
Aeroporti i Hamburgut tha se nuk do të ketë nisje të planifikuara sot ndërkaq greva mund të shkaktojë anulime dhe vonesa edhe për mbërritjet.
Janë anuluar më shumë se 120 fluturime nisjeje dhe të paktën 50 fluturime mbërritëse, njoftoi menaxhmenti i aeroportit.
Ndërprerje të mëdha dhe anulime fluturimesh priten edhe në aeroportet në Bremen dhe Hanover.
Sindikata "Verdi" kërkon rritje pagash në valën e inflacionit, kompensim më të lartë për punën jashtë orarit dhe natën dhe përmirësim të kushteve të punës.