Furkan Naci Top
07 Mars 2018•Përditësim: 08 Mars 2018
ATHINË (AA) - Policia greke ka arrestuar 7 persona në kuadër të operacioneve të ndërmarra kundër anëtarëve të grupit të djathtë ekstrem "Combat 18 Hellas" me dyshimin se janë përfshirë në sulme të ndryshme ndaj grupeve të majta dhe emigrantëve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga njësia e anti-terrorizmit në Greqi thuhet se në operacinet e zhvilluara në qytetet Athinë, Seres dhe Janinë në mesin e të arrestuarve ndodhen edhe krerët e organizatës.
Të dyshuarit të cilët ngarkohen me akuza për zjarrvënie, anëtarësim në një organizatë kriminale dhe posedim të lëndëve shpërthyese, thuhet se do të dërgohen në gjykatë për t'u nxjerrë përpara gjykatësit.
Gjatë bastisjeve në 10 shtëpi krahas lëndëve që përdoren në prodhimin e bombave, koktejeve të molotovit, mjeteve prerëse dhe shpuese, lëndë narkotike dhe pushkë janë konfiskuar edhe dokumente të ndryshme dhe emblema me simbole të krahut të djatht ekstrem.
Gjithashtu bëhet e ditur se ditën e djeshme policia greke ndaloi 6 persona në një operacion ndaj të njëjtës organizatë nga të cilët 5 prej tyre janë arrestuar.
Mediat greke njoftuan se personat e arrestuar nga policia greke si rezultat i një operacioni të nisur nga pamjet e kamerave të sigurisë në vendet e sulmeve dhe përgjimeve telefonike, janë anëtarë të një grupi neonazist me emrin “Combat 18 Hellas” dhe se ata janë të përfshirë në të paktën 20 sulme me bomba dhe koktej molotovi.
Grupi “Combat 18 Hellas” njihet si krahu i armatosur i organizatës "Blood and Honour" (Gjak dhe nder) i cili është themeluar në vitin 1992 në Britani të Madhe.