Zehra Ulucak
02 Shkurt 2018•Përditësim: 03 Shkurt 2018
ANKARA (AA) – Ndërtime të ngelura nga qytetërimi antik Maja janë gjendur të fshehura nën territoret pyjore në veri të Guatemalës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në lajmin e publikuar në faqen e internetit “phys.org”, udhëheqësi i hulumtimit, Marcello Canuto, ka bërë të ditur se studiuesit duke përdorur skanerë lazerikë ajrorë të teknologjisë së lartë, në skanimet e bëra në dy vitet e fundit në rajonin El Peten, kanë arritur në afro 60 mijë mbetje nga periudha e qytetërimit Maja.
Arkeologu Canuto nga Universiteti Tulane në SHBA, theksoi se në mes të ndërtimeve të posazbuluara gjenden qendra urbane me trotuare, shtëpi, tarraca, qendra ceremonish dhe kanale të ujitjeve.
“Këto zbulime janë revolucionare në arkeologjinë për majët", shtoi ai.
Canuto poashtu tha se në mesin e gjetjeve gjendet dhe një mur i gjatë 14 kilometra dhe se studiuesit besojnë se qytetërimi Maja ka pasur popullsi prej mbi dhjetë milionë banorësh, "shumë më të lartë" se sa është menduar më parë.
Duke theksuar se gjatë ekzaminimit është përdorur metoda për skanim të largët LIDAR (Skanim për Detektim të Dritës dhe Largësisë), Canuto shtoi se falë kësaj metode janë bërë zbulime më të shpejta se sa me metodat tradicionale arkeologjike.
Detajet e studimit më 11 shkurt do të transmetohen në një dokumentar në kanalin "National Geographic".
Qytetërimi Maja konsiderohet si një prej qytetërimeve më të rëndësishme para Kolombit, qytetërim ky i cili ka qeverisur në një rajon të shtrirë nga juglindja e Meksikës, Hondurasi, El Salvadori e deri në Guatemala. Studimet e bëra në qytetet Maja tregojnë se banorët Maja kanë arritur në nivele shumë të avancuara në shumë fusha, si astronomia, matematika, arkitektura dhe arti.