Aydoğan Kalabalık
29 nëntor 2022•Përditësim: 29 nëntor 2022
Spitali i parë turk në Libi u inaugurua të hënën në qytetin veriperëndimor të vendit, Misrata, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryesisht mjekë turq do të punojnë në Spitalin Libian Turk (Libyan Turkish Hospital), i cili u vu në shërbim nën drejtimin e konglomeratit turk Karanfil Group që vepron në Libi.
Murtaza Karanfil, kryetar i Grupit Karanfil me qendër në Istanbul, tha për AA se spitali do të ofrojë shërbime mjekësore për mijëra libianë.
“Sot, ne jemi të lumtur të përurojmë Spitalin e parë Libian Turk në vendin vëlla dhe mik – Libinë”, tha Karanfil, duke shtuar se infrastruktura shëndetësore e Libisë do t’u besohet mjekëve dhe administratorëve turq.

Emre Aktepe, specialist i sëmundjeve infektive dhe mikrobiologjisë klinike, tha se libianët u kanë ndihmuar shumë në ngritjen e spitalit.
“Ne erdhëm në Libi me një grup prej 14 mjekësh. Infermieret tona janë gjithashtu nga Türkiye. Ne gjithashtu kemi mjekë dhe infermierë shumë të vlefshëm nga Libia dhe Tunizia”, shtoi ai.
Sevim Kara, shefja e shërbimeve të infermierisë, tha se do të ofrojnë shërbim shumë të mirë me shoqet e saj infermiere, të specializuara në çdo fushë.
“Pacientët do të jenë në gjendje t’i bëjnë të gjitha procedurat e tyre lehtësisht nga telefonat e tyre celularë. Ne sollëm në këtë vend një sistem që nuk ekziston në Libi përmes Spitalit Libian Turk”, tha Mucahit Ekinci, specialist në sistemet spitalore të menaxhimit të informacionit.
Spitali me 120 shtretër ka 13 poliklinika, katër salla operacioni, nëntë shtretër urgjence dhe një shërbim ambulance të pajisur plotësisht, si dhe njësi të kujdesit intensiv të përgjithshëm, kardiovaskular, neonatal dhe koronar.

Në fazën e parë spitali do të ofrojë shërbime duke përfshirë kirurgjinë kardiovaskulare, kardiologjinë, ortopedinë, traumatologjinë, neurokirurgjinë, kirurgjinë e përgjithshme, obstetrikën, mjekësinë interne, shëndetin dhe sëmundjet pediatrike, sëmundjet infektive, anestezinë dhe reanimacionin, otolaringologjinë, radiologjinë, ushqimin dhe dietën, dhe objektet e urgjencës dhe ambulancës.
Në fazën e dytë do të hapen reparte të tjera si urologjia, dermatologjia dhe kozmetologjia, kirurgjia plastike dhe kirurgjia pediatrike.