Rıyaz Khalıq
04 Shkurt 2020•Përditësim: 05 Shkurt 2020
Hong Kongu sot ka raportuar vdekjen e parë nga koronavirusi, i njohur si 2019-nCoV, i cili filloi në Kinën qendrore në dhjetor, raporton Anadolu Agency (AA).
Së paku 426 persona kanë humbur jetën nga sëmundja në Kinë, raportoi CGTN e Kinës.
I ndjeri, 39 vjeçar, ishte një diabetik me kohë të gjatë që kishte udhëtuar në Wuhan, vatra e virusit, në janar dhe u kthye në shtëpi pas dy ditësh, njoftoi Hong Kong Free Press.
Rajoni autonom ka raportuar 15 raste për shkak të virusit i cili ka prekur mbi 20.000 të tjerë në Kinë.
Një person vdiq nga e njëjta sëmundje në Filipine të dielën e kaluar.
I ndjeri nga Hong Kongu, identiteti i të cilit mbetet i panjohur, kishte përjetuar dhimbje në muskuj që nga 29 janari si pasojë e etheve.
Numri i personave të prekur nga virusi arriti në 15 në Hong Kong, ndërsa Macau raportoi tetë raste. Të dyja edhe Hong Kongu edhe Macau janë rajone të veçanta administrative nën Kinën.
Shefi Ekzekutiv i Hong Kongut, Carrie Lam, të martën tha se greva e punonjësve të mjekësisë ka ndikuar në shërbimet spitalore dhe pacientët, veçanërisht ata në gjendje kritike.
Punonjësit e mjekësisë kërkojnë mbylljen totale të kufirit me territorin kinez.
Përveç Kinës, virusi është përhapur në më shumë se 20 vende, duke përfshirë Japoninë, Korenë e Jugut, Tajlandën, SHBA-të, Singaporin, Francën, Rusinë, Spanjën, Vietnamin, Malajzinë, Kamboxhian, Sri Lankën, Filipinet, Indinë dhe Kanadanë.
Virusi thuhet se është transmetuar te njerëzit nga kafshët, veçanërisht lakuriqët. Me rastet e raportuara në Azi, Evropë, SHBA dhe Kanada, alarmi u ngrit globalisht.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli emergjencë ndërkombëtare.