Mohammed Yahya Ahmad Mohammed
17 gusht 2022•Përditësim: 18 gusht 2022
Udhëheqësit e partive politike në Irak nisën një dialog kombëtar në përpjekje për të zgjidhur krizën politike të vendit, pas bojkotit nga kleriku shiit me ndikim Muqtada al-Sadr, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë, lëvizja Sadr tha se nuk do të marrë pjesë në dialogun e thirrur nga kryeministri Mustafa al-Kadhimi.
Në seancën e sotme të dialogut mori pjesë edhe e dërguara e OKB-së në Irak, Jeanine Plasschaert.
Tensionet janë rritur në Irak së fundmi pas nominimit të Mohammed Shia al-Sudani-t si kryeministër i ri nga Korniza e Koordinimit, një koalicion grupesh të afërta me Iranin.
Ky veprim shkaktoi protesta masive nga mbështetësit e al-Sadr-it, të cilët kërkuan shpërndarjen e parlamentit irakian dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Qershorin e kaluar, 73 ligjvënës të lëvizjes së al-Sadr dhanë dorëheqjen nga parlamenti me 329 vende pasi nuk arritën të formonin një qeveri të "shumicës kombëtare", pasi Korniza e Koordinimit pengoi formimin e kabinetit.
Iraku ka qenë në ngërç politik për nëntë muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme të vendit tetorin e kaluar, pasi partitë rivale nuk kanë arritur që atëherë të bien dakord për një qeveri të re.