Mahmoud Barakat
06 Shkurt 2019•Përditësim: 06 Shkurt 2019
BAGDAD (AA) - Banka Qendrore e Irakut dhe Banka Qendrore e Iranit nënshkruan një marrëveshje në bazë të të cilës Bagdadi zyrtar do të shlyej borxhet ndaj Teheranit, raporton Anadolu Agency (AA).
Burime pranë Bankës Qendrore të Irakut deklaruan për AA se nënshkrimi i marrëveshjes synon të "arrijë pëlqimin e ndërsjellë për pagesën e borxhit.
Burimi në fjalë thotë se borxhet e Irakut ndaj Iranit në vlerë prej 2 miliardë dollarë, janë akumuluar nga importet e energjisë elektrike dhe gazit si dhe mallrave tjera në periudhën e fundit disavjeçare.
Iraku ka importuar nga Irani 1.000 megavat energji elektrike, nga shkaku i mungesave me të cilat përballet.
Aktualisht Irani është në shënjestër të sanksioneve të SHBA-ve, pasi Washingtoni zyrtar në gusht të vitit të kaluar rivendosi raundin e parë të sanksioneve ekonomike, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me sektorin bankar të vendit.
Në nëntor, Washingtoni imponoi një raund të dytë sanksionesh, në shënjestër të të cilave është sektori energjetik në Iran.
Washingtoni kishte përjashtuar Bagdadin nga sanksionet kundër Iranit, duke e lejuar të importojë gaz dhe energji elektrike.