Ekip
02 Dhjetor 2020•Përditësim: 02 Dhjetor 2020
Presidenti iranian, Hassan Rouhani, ka kritikuar planin e parlamentit të vendit të tij për reduktimin e mëtejshëm të angazhimeve të Iranit nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, plan që synon t'i përgjigjet vrasjes së krye-shkencëtarit bërthamor iranian, Mohsen Fakhirizadeh, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në një takim të kabinetit në Teheran, Rouhani e cilësoi planin e parlamentit "të dëmshëm" për aktivitetet diplomatike.
Dje, parlamenti iranian miratoi planin me anë të të cilit do t'i kërkojë qeverisë të rifillojë 20 për qind të pasurimit të uraniumit dhe të rrisë rezervat e uraniumit të pasuruar.
Plani, i cili ende nevojitet të aprovohet, bën thirrje për t'i dhënë fund zbatimit "vullnetar" të Protokollit Shtesë, duke i dhënë një muaj afat qeverisë.
Dje, zëdhënësi i qeverisë, Ali Rabiee, tha se parlamenti nuk ka "të drejtë" të ndërhyjë në çështjet që lidhen me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.
Rabiee, duke kritikuar ligjvënësit, tha se plani i propozuar që synohet gjoja për "t'u dhënë fund sanksioneve" do të çojë në "sanksione të përhershme" mbi Iranin.
Siç ishte planifikuar, sot Rouhani do të paraqesë një projekt të buxhetit të vitit të ardhshëm në parlament, por këtë detyrë ai ia caktoi përfaqësuesit të tij parlamentar.
Duke iu përgjigjur spekulimeve se plani i parlamentit mund të ketë çuar në ndryshime të planeve të tij, Rouhani tha se mungesa e tij në parlament është për shkak të "respektimit të protokollit shëndetësor".
Vrasja e krye-shkencëtarit iranian, për të cilën Teherani ka fajësuar armikun e tij kryesor, Izraelin, ka çuar në një seri demonstratash në të gjithë vendin mes thirrjeve të "hakmarrjes së fortë".