Tayfun Salcı
09 Janar 2019•Përditësim: 09 Janar 2019
LONDËR (AA) - Parlamenti i Britanisë ka miratuar ndryshimet që kanë për qëllim të parandalojnë qeverinë për t’u larguar nga Bashkimi Evropian (BE) pa një marrëveshje, raporton Anadolu Agency (AA).
Ndryshimet e ligjit të propozuar nga partia opozitare për të penguar Brexit-in pa marrëveshje u miratuan me 303 vota pro dhe 296 kundër.
Sipas ndryshimit të ligjit në fjalë, Qeveria e Britanisë, fondet buxhetore, të cilat do të ndahen në fazën përgatitore për skenarin e mundur të Brexit-it pa marrëveshje, nuk do të mund t’i përdorë pa miratimin e parlamentit.
Qeveria e kryeministres britanike, Theresa May, me këtë pësoi një disfatë në parlament pasi që deputetët që e kundërshtojnë daljen nga BE-ja pa marrëveshje në këtë mënyrë vendosën një pengesë të re për këtë formë të largimit nga BE.
"Ky votim është një hap i rëndësishëm për të parandaluar daljen pa marrëveshje. Kjo tregon se nuk ka pakicë në parlament, në kabinet apo në vend që të largohemi nga BE-ja pa një marrëveshje", tha kreu i opozitës, Jeremy Corbyn.
Ndryshimet ligjore janë miratuar vetëm disa ditë para një votim kyç nëse do të pranohet marrëveshja e Brexit-it të negociuar nga May me BE-në.
Më pak se tre muaj para largimit të Britanisë së Madhe nga BE-ja, kryeministrja May me të gjitha forcat përpiqet të përfitojë mbështetje për marrëveshjen e saj me Brukselin.