Ekip
07 Maj 2017•Përditësim: 08 Maj 2017
KABUL (AA) – Shefi i diplomacisë së Iranit Javad Zarif udhëtoi në vizitë zyrtare në Kabul me ç'rast theksoi domosdoshmërinë e luftës së përbashkët të Iranit dhe Afganistanit në luftën kundër terrorizmit, ekstremizmit dhe trafikimit të drogës, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri afgan i Punëve të Jashtme Salahuddin Rabbani sot e priti në takim homologun e tij iranian Zarif, ndërsa pas takimit bashkëbiseduesit theksuan se takimi i sotëm në Kabul është me rëndësi historike për përforcimin e bashkëpunimit dypalësh në luftën kundër terrorizmit dhe problemeve të tjera rajonale.
"Si në të kaluarën, edhe sot ka lëvizje në rajon, të cilat nxisin dhunën dhe ekstremizmin që dëmtojnë të gjithë. Problemi i terrorizmit, ekstremizmit dhe dhunës nuk është i kufizuar në një territor të caktuar, por është një kërcënim për sigurinë dhe paqen në të gjithë rajonin", tha Zarif.
Edhe shefi i diplomacisë afgane Rabbani tha se të gjithë e kanë të qartë se terrorizmi është shndërruar në kërcënim global për paqen dhe se kundër këtij kërcënimi e domosdoshme është lufta globale.
"Lufta aktuale globale kundër terrorizmit do të jetë efektive vetëm kur bota muslimane të përcaktojë qartë terrorizmin dhe kur vendet islamike të angazhohen në luftën e përbashkët kundër këtij problemi pa ndonjë ndarje në grup të mirë dhe të keq terrorist", tha Rabbani.
Kabuli zyrtar disa vite akuzon Pakistanin fqinj se lëvizjen militante të talebanëve e paraqet si "njerëz të mirë" dhe atë lëvizje e përdor për realizimin e interesave të tyre në rajon.
Zyrtarët afganë, sidomos ato nga jugu i vendit, shpesh për mbështetjen e talebanëve akuzojnë Iranin dhe Rusinë.
Gjatë vizitës së tij zyrtare, Zarif dhe pjesa tjetër e delegacionit iranian do të takohet edhe me presidentin afgan, Ashraf Ghani, ndërsa lufta kundër terrorizmit do të jetë një nga temat kryesore të takimit.