Ömer Faruk Yıldız
02 Janar 2022•Përditësim: 03 Janar 2022
Në raportet e përgatitura nga organizatat ndërkombëtare është përcaktuar se islamofobia dhe aktet anti-muslimane shënuan rritje në të gjithë Evropën në vitin 2020, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në "Raportin Evropian të Islamofobisë 2020" i cili u përgatit nga doç. dr. Enes Bayrakli, profesor në Universitetin Turko-Gjerman dhe nga profesori Farid Hafez nga Universiteti Georgetown, u diskutuan ngjarjet dhe retorikat e përjetuara vitin 2020 në vendet e rajonit.
I përgatitur me kontributin e 37 akademikëve nga vende të ndryshme raporti shqyrton ecurinë e islamofobisë në gjithsej 31 vende shumica e të cilave në Evropë.
Në raport përshihen kërkime mbi islamofobinë në Evropë nga organizata të ndryshme ndërkombëtare, kryesisht Kombet e Bashkuara (OKB) de Këshilli i Evropës.
Në qershor 2020 Këshilli i Evropës publikoi një raport me temë: "Lufta kundër retorikave të paligjshme të urrejtjes në internet", në të cilin tërhiqet vëmendja mbi retorikat e urrejtjes në rritje në mjedisin e internetit në Evropë. Gjithashtu në raport është vërejtur se retorikat e urrejtjes në internet në vitin 2020 përfshijnë 9.4 për qind elementë kundër Islamit.
Në sondazhin e publikuar nga Agjencia për të Drejtat Themelore të Bashkimit Evropian në qershor 2020, ka dalë përfundimi se 22 për qind e shtetasve të BE-së shqetësohen nga fqinjësia me muslimanët dhe se 21 për qind nuk duan të punësojnë një grua musimane të mbuluar me shami.
Në raportin e Komisionit Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës është përfshirë deklarata e Sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, Marija Pejcinovic Buric se "Evropa po përballet me një të vërtetë të tmerrshme: Antisemitizmi, kundërshtia ndaj muslimanëve dhe krimet e tjera të urrejtjes po rriten në norma shqetësuese".
Islamofobia në Evropën Perëndimore është përhapur në jetën sociale
Në raportin e publikuar vitin e kaluar nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, vihet theksi se krimet e urrejtjes kundrejt muslimanëve janë rritur në përmasa të mëdha, veçanërisht në median sociale.
Kjo rritje është vërejtur më së shumti në vendet evropiane dhe komunitetet muslimane përballen çdo ditë e më shumë me retorikat e urrejtjes në Austri, Belgjikë, Danimarkë, Gjermani, Finlandë, Francë, Greqi, Holandë dhe Britani.
Në raportin e Këshillit, thuhet se është përcaktuar që platforma e medias sociale Facebook përdoret si mjet kyç në retorikat e urrejtjes kundër muslimanëve.
Retorikat islamofobike në vendet e Evropës Perëndimore krahas mjedisit të internetit janë përhapur edhe në jetën sociale, thuhet në raportin në të cilin tregohet si shembull se femrat në disa vende ndalohen të arsimohen me veshjet që kanë për shkak të besimeve të tyre fetare.
Rritja e islamofobisë shqetëson komunitetet muslimane
Në raportin e përgatitur nga Organizata për Bashkëpunim dhe Siguri (OSBE) në Evropë me temë: "Kuptimi i krimeve të urrejtjes kundër muslimanëve: Nevoja për siguri e komuniteteve muslimane" janë shqyrtuar efektet fizike, emocionale dhe psikologjike të islamofobisë.
Është vërejtur se tek personat që përballen me sulmet islamofobike ka rritje të frikës dhe shqetësimeve në jetën e përditshme dhe se ka nevojë për më shumë siguri.
Thuhet se veprimet anti-islame në rritje në të gjithë Evropën mund të shkaktojnë tek komunitetet muslimane pasoja të tilla si frikë për të shkuar në xhami dhe hezitim tek gratë muslimane që të veshin veshje fetare.
Evropa, pika më aktive e islamofobisë
Në një raport që Organizata e Bashkëpunimit Islam (OBI) publikoi në nëntor 2020 thuhet se islamofobia është bërë element kryesor në fushatat e grupeve të ekstremit të djathtë në Evropë.
Retorika e urrejtjes në median sociale dhe sulmet fizike ndaj muslimanëve janë përjetuar më shumë Gjermani, thuhet në raportin në të cilin është konstatuar se Evropa vazhdon të jetë pika më aktive e islamofobisë.
Media dhe organizatat 'Think Tank' e kanë bërë islamofobinë të përhershme
Raporti Evropian i Islamofobisë 2020 ka trajtuar masat dhe aktivitetet që organizatat ndërkombëtare kanë organizuar për të trajtuar islamofobinë.
Në kuadër të aktivitetit të zhvilluar vitin e kaluar në Parlamentin Evropian (PE) me rastin e "21 Shtatorit - Ditës Evropiane për Luftën kundër Islamofobisë" anëtarët e parlamentit shprehën shqetësimet e tyre lidhur me aktet islamofobike në rritje në Evropë dhe për krimet e urrejtjes kryesisht ndaj grave muslimane.
Ish-anëtari i PE-së, Majid Majid ka mbrojtur idenë e tij se "Media e keqmenaxhuar dhe organizatat e mendimit (Think Tank) që nuk përcaktojnë rend dite e kanë bërë islamofobinë të përhershme".
Këshilli i Evropës ka kaluar në veprim për të forcuar luftën kundër islamofobisë në të gjithë kontinentin dhe më 7 tetor 2020 emëroi si "Përfaqësues Special për islamofobinë, antisemitizmin dhe krimet e urrejtjes" drejtorin për komunikim të Këshillit, Daniel Höltgen.