Anees Suheil Barghouti
09 Janar 2018•Përditësim: 09 Janar 2018
KUDS (AA) – Sipas Zyrës së OKB për Koordinim dhe Çështje Humanitare (OCHA) Izraeli në vitin 2017 ka shkatërruar 420 ndërtime palestineze në Bregun Perëndimor dhe në Kudsin Lindor të okupuar nga Izraeli, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një raport të sotëm, OCHA tha se 278 ndërtime u rrafshuan me tokë në Bregun Perëndimor, duke shkaktuar zhvendosjen e 602 palestinezëve.
Gjithsej 142 ndërtime palestineze u shkatërruan në Kudsin Lindor, duke zhvendosur 223 palestinezë, tha zyra e OKB-së.
Izraeli, nga ana e tij, argumenton se prishjet janë kryer për shkak se ndërtimet janë bërë pa leje.
Palestinezët thonë se lejet janë mohuar në mënyrë rutinore, duke detyruar shumë të ndërtojnë pa leje për të përmbushur nevojat e tyre për strehim dhe rrezikojnë që ndërtimet e tyre të shkatërrohen.
Sipas këtij raporti, gjithsej 75 palestinezë u vranë dhe 8.156 të tjerë u plagosën nga forcat izraelite në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës në vitin 2017.
Rreth 500 mijë izraelitë tani jetojnë në më shumë se 100 vendbanime me origjinë hebreje që janë ndërtuar që kur Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor në vitin 1967.
Palestinezët duan që këto zona, së bashku me Rripin e Gazës, t’i kenë për krijimin e shtetit të ardhshëm palestinez.
E drejta ndërkombëtare e sheh Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor si "territore të pushtuara" dhe e konsideron gjithë veprimtarinë e ndërtimit të vendbanimeve hebreje në këtë tokë si të paligjshme.