Hacer Başer,Mustafa Melih Ahıshalı,Narges Rezai
19 Dhjetor 2017•Përditësim: 19 Dhjetor 2017
DOHA (AA) – Katari ka “pritur me keqardhje” mosmiratimin e projektrezolutës lidhur me Kudsin të prezantuar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB), duke thënë se e mbështet dërgimin e këtij vendimi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Punëve të Jashtme e Katarit thuhet se votimi pro nga 14 shtete prej 15 shteteve anëtare të KS-OKB-së për projekt-rezolutën lidhur me Kudsin, ka treguar qëndrimin se komuniteti ndërkombëtar refuzon çdo lloj praktike e cila mund ta dëmtojë statusin historik dhe fetar të Kudsit.
Në deklaratë thuhet se pas vënies së vetos nga SHBA-të, Katari mbështet dërgimin e këtij vendimi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ndërsa theksohet edhe qëndrimi i pandryshueshëm i Katarit për dhënien e mbështetjes për kauzën dhe popullin palestinez.
Irani reagon për veton e SHBA-ve
Në anën tjetër, edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Iranit reagoi kundër vetos së SHBA-ve për projektreolutën e Kudsit në KS-OKB.
Në deklaratën e zëdhënësit të Ministrisë së Punëve të Jashtme Behram Kasımi, e cila u publikua në ueb faqen zyrtare të ministrisë, thuhet se “Ky hap provokativ i SHBA-ve tregon se SHBA-të nuk i respektojnë rezolutat ndërkombëtare dhe i shkelin të drejtat e palestinezëve për interesat e Izraelit”.
Përkundër 14 votave pro, SHBA-të dje vendosën veto ndaj projektrezolutës për Kudsin në KS-OKB të prezentuar nga Egjipti me iniciativë të Turqisë, e cila kërkonte që vendimet mbi statusin e Kudsit të mos kenë efekt ligjor dhe të refuzohen.