KIGALI (AA) - BAYRAM ALTUĞ
Kryeqyteti i Ruandës, Kigali, krahasuar me vendet e tjera të kontinentit afrikan, tërheq vëmendjen e vizitorëve me praninë e sigurisë, paqes dhe pastërtisë, shkruan Anadolu Agency (AA).
I ndërtuar brenda një lugine midis katër kodrave pikërisht në mes të Ruandës, në Kigali jetojnë 1.3 milionë banorë.
Kryeqyteti posedon florë të gjelbër. Maja më e lartë e tij arrin në 1.850 metra lartësi mbidetare, ndërkohë pika më e lartë mesatare në lugina arrin deri në 1.300 metra. Qyteti ndodhet menjëherë në jug të vijës ekuatoriale, kurse në të gjatë tërë vitit mbizotëron klimë e moderuar. Temperatura më e ulët në rajon gjatë vitit është 15 gradë celsius, kurse më e larta 28.

Qyteti është ndërtuar në vitin 1907 nga Dr. Richard Kandt gjatë periudhës së administratës kolonialiste gjermane. Pas Luftës së Parë Botërore, qyteti u bë koloni e Belgjikës. Me pavarësimin e Ruandës në vitin 1962, Kigali u shpall kryeqytet i vendit.
Kigali llogaritet qendra e ekonomisë, kulturës dhe transportit, teksa në vitet e fundit ka shënuar zhvillim të dukshëm.
Evitohet diskriminimi etnik
Sipas monitoruesve ndërkombëtar, Kigali bën pjesën në mesin e kryeqyteteve më të sigruta të Afrikës. Një turist që viziton për herë të parë qytetin, ka vështirësi të besojë se vetëm 23 vite më parë aty ka ndodhur një nga gjenocidet më makabre në histori.
Gjersa në shumë shtete të Afrikës turistët rekomandohen të mos dalin natën, në Kigali ndodh krejtësisht e kundërta, sepse turistët e huaj aty mund të ecin vetëm nëpër rrugë në orët e vona të natës.
Në çdo 100 metra në qytet ka pika sigurie. Policët dhe ushtarët që ushtrojnë detyrë në këto pika, me fytyrat e buzëqeshura dhe me sjelljen e mrë, mundësojnë që njerëzit të ndihen të rehatshëm.
Popullata flet gjuhën amtare Kinyarwanda, si dhe gjuhët angleze dhe frënge.
Kryeqyteti më i pastër i Afrikës
Në rrugët e Kigalit pothuajse është e pamundur të gjenden pirgje mbeturinash që bartin mikrobe dhe sëmundje, siç ndodh në shtetet e tjera të Afrikës.
Përmes një vendimi të qeverisë, popullata mobilizohet në masë të madhe të shtunën e fundit të çdo muaji, ditë që është emërtuar si "Umuganda (Punë e përbashkët)", për të pastruar rrugët e qytetit.
Turkish Airlines shtatë udhëtime në javë drejt Kigalit
Linja turke e fluturimeve Turkish Airlines organizon shtatë udhëtime në javë drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Kigalit.
Në të njëjtën kohë, nga terminali i autobusëve Nyabugogo në qytet organizohen udhëtime për në kryeqytet dhe qytete të rëndësishme të shteteve fqinje, siç janë Uganda Tanzania, Kenia dhe Burundi.
Ndërkaq, në komunikacionin rrugor brenda qytetit në masë të madhe përdoren motoçikletat, meqenëse kanë çmim më të ulët. Ngasësit e motoçikletave janë të detyruar të mbajnë helmetë dhe kaskë dhe të mbajnë fanellë me numër prapa.
Në transportin publik, krahas autobusëve dhe minibusëve, përdoren edhe taksitë, edhe pse në masë të vogël. Ndërkaq, në qytet nuk ka tren, metro apo sistem hekurudhor të lehtë.
Muslimanët dhe të krishterët jetojnë së bashku
Në Kigali, muslimanët dhe të krishterët jetojnë së bashku, të cilët i kryejnë ritet e tyre fetare pa asnjë pengesë.
Në qytetin ku zëri i ezanit jehon nga altoparlantët, popullata vazhdimisht tregon se muslimanët kanë qëndruar "stoikisht" përballë gjenocidit gjatë të cilit jetën humbën afër një milion njerëz.
Femrat muslimane lirshëm mbajnë shaminë në universitet apo objektet publike të qytetit.
Qendra e Kongreseve në Kigali
Në mesin e objekteve të qytetit që tërheqin më së shumti vëmendje është Qendra e Kongreseve e cila është ndërtuar nga kompania turke Summa Group, së bashku me hotelin dhe qendrën tregtare menjëherë pranë.
Në Qendrën e Kongreseve në Kigali vitin e kaluar u organizua Samiti i 27-të i Unionit Afrikan. Me sallën e konferencave me kapacitet për 2.500 persona dhe hotelin me pesë yje me 292 dhoma, qendra është një nga ndërtesat më të rëndësishme të Afrikës.
Qiratë e shtëpive janë të larta
Në përgjithësi, pjesa e pasur në Kigali jeton në zonat më të larta, kurse pjesa e varfër në lugina.
Vilat luksoze të ndërtuara në lagjet e formuara rishtazi në lartësirat e qytetit, kushtojnë nga 150 mijë deri në 400 mijë dollarë.
Ndërkaq, banorët e lagjeve më të varfëra jetojnë në shtëpi të vogla të ndërtuara me qerpiçë, krahasuar me vendet e tjera të Afrikës, ku shtëpitë ndërtohen me teneqe.
Qeraja mujore e shtëpive me banjo dhe tualete jashtë shtëpive fillon nga 40 dollarë, kurse ajo e shtëpive më të avancuara varion mes 500 dhe 1000 dollarë.
Banorët e lagjeve më të varfëra, të cilët punojnë punë të ndryshme, arrijnë t'i buzëqeshin jetës pavarësisht çdo gjëje.