Riyaz Khaliq Khaliq
03 Mars 2022•Përditësim: 03 Mars 2022
Kina ka bërë të ditur se më shumë se 3 mijë qytetarë të saj janë larguar nga Ukraina që kur Rusia nisi një luftë në këtë vend të Evropës Lindore, transmeton Anadolu Agency (AA).
E përditshmja kineze ‘Global Times’ raportoi se deri më tani "më shumë se 3 mijë shtetas kinezë janë zhvendosur në mënyrë të sigurt nga Ukraina në vendet fqinje".
"Kina falënderon vendet përkatëse për lehtësimin e qëndrimit të përkohshëm të qytetarëve kinezë", tha ministria kineze.
Shumë vende, përfshirë Turqinë, po evakuojnë qytetarët e tyre nga Ukraina pasi lufta e Rusisë ndaj Ukrainës është përballur me dënime ndërkombëtare, me Bashkimin Evropian (BE), SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar, ndër të tjera, që po zbatojnë sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.
Megjithatë, Kina ka refuzuar të dënojë Rusinë për luftën e saj kundër Ukrainës dhe ka abstenuar nga votimi i përpjekjeve të udhëhequra nga SHBA-ja kundër Rusisë në Kombet e Bashkuara (OKB) dhe Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
"Çdo veprim i OKB-së dhe palëve përkatëse duhet t’i japë përparësi paqes, stabilitetit rajonal dhe sigurisë universale, si dhe duhet të luajë një rol pozitiv për de-përshkallëzimin dhe zgjidhjet diplomatike", tha Zhang Jun, përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB, dje në seancën speciale të jashtëzakonshme të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York.
Pekini ka hedhur poshtë sanksionet kundër Rusisë, duke i quajtur ato "të paligjshme" dhe tha se do të "vazhdojë tregtinë normale me Moskën".
Shumë vende gjithashtu po furnizojnë Ukrainën me armë dhe kanë mbyllur hapësirën e tyre ajrore për linjat ruse dhe kanë ndaluar mediat shtetërore ruse.
Rusia dhe Ukraina kanë vendosur që sot të zhvillojnë një raund të dytë të bisedimeve, pasi raundi i parë u mbajt të hënën.
Sipas organit të OKB-së për të drejtat e njeriut, të paktën 227 civilë janë vrarë dhe 525 të tjerë janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i luftës të enjten e kaluar. Megjithatë, autoritetet ukrainase thonë se numri i të vdekurve është mbi 2 mijë.
Sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatë (UNHCR), më shumë se 874 mijë ukrainasë janë larguar nga vendi i tyre duke u drejtuar në vendet fqinje.