Fuat Kabakcı
10 Gusht 2019•Përditësim: 11 Gusht 2019
Së paku 18 persona humbën jetën dhe 14 të tjerë mbetën të zhdukur për shkak të rrëshqitjes së dheut të shkaktuar nga tajfuni Lekima në Kinën lindore, njoftuan media lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).
Tajfuni Lekima, i nëntë këtë viti goditi provincën Zhejiang në bregdetin lindor të Kinës dhe shkaktoi një rrëshqitje të tokës herët këtë mëngjes, bëri të ditur Rrjeti Global i Televizionit të Kinës (CGTN), duke cituar autoritetet lokale.
Personat në fjalë humbën jetën dhe u zhdukën kur rrëshqitja e tokës përshkoi një fshat në Qarkun Yongjia të Zhejiang, CGTN citoi një zyrtar lokal.
"Shiu i rrëmbyeshëm shkaktoi rrëshqitje dheu në një mal që bllokoi lumin poshtë, duke bllokuar rreth 120 njerëz në fshat", u citua zyrtari.
Ai shtoi se banorët e fshatit nuk kishin shumë kohë për t’u evakuuar "pasi niveli i ujit u ngrit shumë shpejt, duke arritur deri në 10 metra brenda 10 minutave".
Mbi një milion njerëz në Kinën lindore u evakuuan para rrëshqitjes së tokës, thuhet në raporte, duke shtuar se rreth 253,000 persona janë zhvendosur nga qyteti Shanghai në vendet e sigurta që nga mëngjesi i së shtunës.