Riyaz Khaliq Khaliq
21 Shkurt 2022•Përditësim: 21 Shkurt 2022
Kina paralajmëroi se do të ndërmarrë "kundërmasa" kundër kompanive amerikane për shitjen e armëve në Tajvan, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Kina do të marrë kundërmasa kundër Raytheon dhe Lockheed Martin, të cilët shitën armë amerikane me vlerë 100 milionë dollarë në ishullin e Tajvanit”, tha Wang Wenbin, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Kinës, në një konferencë për media në Pekin.
Wang tha se shitja e armëve "dëmtoi rëndë sovranitetin dhe interesat e sigurisë së Kinës", raportoi e përditshmja kineze Global Times.
Washington-i në fillim të këtij muaji miratoi shitjen e pajisjeve dhe shërbimeve me vlerë 100 milionë dollarë për Tajvanin për të përmirësuar sistemet e mbrojtjes raketore të vendit ishullor.
Marrëveshja përfshin "mbështetje të shërbimeve inxhinierike, të dizajnuara për të mbështetur, mirëmbajtur dhe përmirësuar" Sistemin e Mbrojtjes Ajrore Patriot të Tajvanit, sipas Agjencisë së Bashkëpunimit të Sigurisë së Mbrojtjes së SHBA-së (DSCA).
“Shitja e propozuar do të ndihmojë në përmirësimin e sigurisë së Tajvanit dhe do të ndihmojë në ruajtjen e stabilitetit politik, ekuilibrit ushtarak, ekonomik dhe progresit në rajon”, thuhet në një deklaratë të DSCA.
Masa shkaktoi kritika nga Ministria e Mbrojtjes e Kinës, e cila u zotua se do të marrë hapa për të mbrojtur "sovranitetin dhe integritetin territorial" të vendit.
“Armata Çlirimtare Popullore do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial, për të penguar ndërhyrjen e jashtme", deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Wu Qian.
"Ka vetëm një Kinë në botë dhe Tajvani është një pjesë e patjetërsueshme e territorit të Kinës", shtoi ai.
Kjo është marrëveshja e dytë ushtarake midis SHBA-së dhe Tajvanit që kur presidenti Joe Biden mori detyrën në janar 2021.
Kina pretendon Tajvanin, një vendi ishull me rreth 24 milionë banorë, si një provincë të shkëputur, ndërsa Taipei këmbëngul për pavarësinë që nga viti 1949 dhe ka marrëdhënie diplomatike me të paktën 14 vende.