Riyaz Khaliq
22 Korrik 2020•Përditësim: 22 Korrik 2020
Mijëra ushtarë kinezë janë mobilizuar dhe shpërndarë për shpëtimin e banorëve të zonave të përmbytura në pjesën lindore të vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Provincat kineze lindore dhe juglindore Jiansu, Anhui dhe Jiangxi janë goditur nga shira të dendur të cilat kanë kapluar edhe objektet e banimit.
Mbi 50 mijë ushtarë janë angazhuar në tre provinca "për shpëtimin e banorëve të bllokuar në zonat e përmbytura".
Për shkak të reshjeve të cilat nuk kanë të ndalur, në rritje të vazhdueshme është edhe niveli i ujit të Lumit të Verdhë (Huang He). Autoritetet kanë lëshuar "alarmin e kaltër" për këtë rajon dhe kanë paralajmëruar banorët për mundësinë e vërshimeve. Lumi kalon përmes nëntë provincave.
Ministria shtetërore e Burimeve të Ujit ka kërkuar nga autoritetet lokale të rrisin gatishmërinë për përgjigje ndaj përmbytjeve. Përmbytjet kanë goditur miliona njerëz ndërsa dëmet ekonomike vlerësohen në miliarda dollarë. Rreth 150 persona humbën jetën nga përmbytjet dhe rrëshqitjet.
Përmbytjet sezonale çdo vit prekin një pjesë të madhe të Kinës ndërsa autoritetet përpiqen të zbusin dëmet me ndërtimin e digave. Përmbytjet më të rënda në Kinë viteve të fundit kanë qenë ato të vitit 1998, kur jetën humbën mbi 2.000 njerëz ndërsa u shkatërun rreth 3 milionë shtëpi.