Zehra Ulucak
21 Shtator 2017•Përditësim: 21 Shtator 2017
SEUL (AA) – Në kulmin e tensioneve të shkaktuara nga testet bërthamore dhe balistike të Koresë së Veriut, qeveria e Koresë së Jugut miratoi dërgimin e ndihmave humanitare në Korenë e Veriut me vlerë prej tetë milionë dollarë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Bashkimit të Koresë së Jugut në Gadishullin Korean ka njoftuar se ndihma nëpërmjet agjencive të OKB do t'u dërgohet të sapolindurve dhe grave shtatzëna të cilat janë më të prekura nga kriza humanitare në Korenë e Veriut.
Me këtë, Seuli zyrtar do të dërgojë konvojet e para me ndihma në Korenë e Veriut pas dy vjetësh, ndërsa Agjencia Yonhap njofton se koha e dërgimit të ndihmave do të përcaktohet më vonë.
Në deklaratën e Ministrisë së Koresë së Jugut theksohet se bashkësia ndërkombëtare me të drejtë reagoi ashpër dhe me forcë ndaj provokimeve bërthamore të Phenianit, por se nuk duhet harruar nevojën humanitare për popullin e Koresë së Veriut.
"Bashkësia ndërkombëtare duhet të ndajë politikën ndaj regjimit dhe ndihmave humanitare për popullin e Koresë së Veriut", tha ministri përkatës i Koresë së Jugut, Cho Myoung-gyon.
Seuli zyrtar ka planifikuar të dërgojë 4.5 milionë dollarë ndihma nëpërmjet Programit Botëror të Ushqimit (WFP) dhe 3.5 milionë dollarë përmes Fondit UNICEF.
Koreja e Jugut dërgoi ndihmën e saj të fundit për popullin e Koresë së Veriut në vitin 2015 përmes OKB-së.
Sipas raporteve të OKB-së, madje 72 për qind nga gjithsej 24.9 milionë koreanoveriorë kanë problem të mungesës së ushqimit. Kategoritë më të prekura janë fëmijët dhe gratë shtatzëna.